Të ushqyerit përkatës të bimës, është njëri nga faktorët themelor për rritje të mirë, prodhim të leverdishëm, me cilësi standarde të frutave të mjedrës dhe të manaferrës. Plehërimi i këtyre kulturave varet nga: tekstura e tokës, reaksioni i pH së tokës dhe prania e materies organike në pemishte, gjatë periudhës së vegjetacionit, duhet të bëhet analiza e gjetheve për caktimin e lëndëve ushqyese në bimë, si dhe për të konstatuar gjendjen e shpëlarjes së azotit dhe kaliumit në tokë. Në këtë mënyrë, caktohet sasia e nevojshme e lëndëve ushqyese që duhet përdorur për mjedrën dhe manaferrën. Fuqia rritëse dhe habitusi i bimës, trashja e lastarëve, madhësia dhe ngjyra e gjethes, janë indikatorë të gjendjes shëndetësore të bimës, por edhe i nevojës së plehërimit. Mjedra dhe manaferra, zakonisht plehërohen me plehra në kombinim të katër metodave: përdorimi i plehut të stallës, shpërndarja e plehrave minerale në formë kokrrash, me plehra të tretshëm në ujë, me kristalore në sistem të ujitjes dhe me përdorim të mikro elementeve, përmes trajtimit të gjetheve. Pjesa më e madhe e plehërimit nga të gjitha metodat varet nga përmbajtja e lëndëve ushqyese në tokë, plleshmëria natyrore e tokës dhe potenciali ekzistues i sistemit për ujitje. Në rast se nuk ekziston sistemi ujitës, plehërimi mund të bëhet me shpërndarjen e plehut të stallës dhe shpërndarjen e kokrrave të plehut artificial.